Rubio: SHBA kërkon marrëveshje me Iranin, por paralajmëron për pasoja

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje diplomatike me Iranin, por vetëm nëse Teherani angazhohet të mos zhvillojë armë bërthamore dhe të ndalë mbështetjen për grupet që Uashingtoni i cilëson terroriste.

Gjatë një deklarate për mediat në Filipine, Rubio tha se administrata e presidentit Donald Trump është e gatshme për dialog, duke theksuar se zgjidhja diplomatike mbetet alternativa e preferuar.

Sipas tij, një marrëveshje e mundshme duhet të garantojë që Irani të mos ketë mundësi të pajiset me armë bërthamore dhe të heqë dorë nga veprimtari që, sipas SHBA-së, kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.

Rubio nënvizoi se presidenti Trump “gjithmonë preferon të negociojë”, por paralajmëroi se Uashingtoni ka edhe alternativa të tjera në dispozicion nëse Teherani refuzon bashkëpunimin.

Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se SHBA-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj anijeve dhe transportit detar ndërkombëtar, duke bërë thirrje edhe për një reagim më të gjerë nga vendet e tjera që preken nga këto zhvillime.

Deklaratat e Rubio vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku çështja e programit bërthamor iranian dhe siguria në rrugët detare mbeten ndër pikat kryesore të përplasjes.