“Berisha në burg, PD e shitur” – Kreu i PD i pashqetësuar nga thirrjet kundër tij në protestë: “Janë slogane të ekstremistëve të majtë”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj thirrjeve të disa protestuesve që kërkojnë arrestimin e tij dhe akuzojnë opozitën për bashkëpunim me qeverinë.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha i cilësoi sloganet “Berisha në burg, PD e shitur” si qëndrime të nxitura, sipas tij, nga “ekstremistë të majtë” dhe persona që ai i quajti “opozitarë të opozitës”.

Berisha u bëri thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike që të mos ndikohen nga këto mesazhe, duke pretenduar se ato synojnë të dobësojnë protestën kundër qeverisë. Ai deklaroi se lëvizja opozitare do të vijojë dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë angazhimin e tyre politik.

Kreu demokrat përshëndeti protestuesit që kanë marrë pjesë në tubimet kundër qeverisë dhe tha se protestat përfaqësojnë, sipas tij, një kërkesë për ndryshim politik në vend. Ai akuzoi kundërshtarët e tij se po tentojnë të dëmtojnë aksionin opozitar duke përdorur slogane kundër tij dhe PD-së.

Berisha theksoi se protesta do të vazhdojë, duke e cilësuar atë si një presion ndaj qeverisë dhe një lëvizje për ndryshim.