Ministri Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian në Bruksel, ku u bë e ditur se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet.
Përmes një reagimi publik, Balla e cilësoi vendimin si një zhvillim pozitiv për mbrojtjen e mjedisit dhe përdori një gjuhë simbolike për të komentuar situatën.
“Lajm i mirë për flamingot, jo i mirë për sorrat që kanë mbetur këtu”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, shfuqizimi i ligjit vjen pasi ai ka përmbushur misionin për të cilin ishte miratuar, ndërsa theksoi se edhe ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet për t’u përafruar plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian.
Në reagimin e tij, ministri solli edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili sqaroi se ligji për investimet strategjike do të anulohet, ndërsa ai për zonat e mbrojtura do të përshtatet me legjislacionin evropian.
“Shfuqizimi nënkupton anulim. Ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet dhe anulohet, ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura, që është një nga ligjet më të mira që kemi, do të përshtatet derisa të arrijë 100% standardet evropiane”, deklaroi Rama.









