Presidenti kolimbian Petro bisedon me Trump – Në fokus lufta kundër drogës dhe heqja e sanksioneve

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka zhvilluar këtë të premte një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku në qendër të diskutimeve ishin lufta kundër trafikut të drogës dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Sipas njoftimit zyrtar, Petro informoi homologun amerikan për përparimin e Kolumbisë në reduktimin e kultivimit të bimës së kokës, lënda bazë nga e cila prodhohet kokaina. Autoritetet kolumbiane thanë se vendi ka arritur objektivin e rënë dakord më parë për zhdukjen e rreth 30 mijë hektarëve me koka, në kuadër të një programi vullnetar.

Qeveria kolumbiane bëri të ditur se synon që deri në fund të vitit 2026 sipërfaqja e shkatërruar të arrijë në 41 mijë hektarë, ndërsa financimi për realizimin e këtij programi është siguruar deri në fund të vitit.

Biseda telefonike u zhvillua në javët e fundit të mandatit të presidentit Petro, përpara se detyrën ta marrë presidenti i zgjedhur, Abelardo De La Espriella.

Takimi në distancë vjen gjithashtu në një moment kur marrëdhëniet mes Bogotës dhe Uashingtonit mbeten të tensionuara. Në muajin tetor, administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Petros, duke e akuzuar për dështim në frenimin e trafikut të drogës.

Gjatë bisedës, Petro i kërkoi Donald Trumpit të rishikojë dhe të heqë sanksionet personale ndaj tij. Sipas deklaratës, presidenti amerikan u përgjigj se do të “bënte më të mirën” për ta shqyrtuar këtë kërkesë.

Kolumbia mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine, ndërsa bashkëpunimi në luftën kundër narkotikëve ka qenë për dekada një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve mes dy vendeve.