Panamaja është shpallur destinacioni më i mirë në botë për emigrantët edhe për vitin 2026, duke mbajtur vendin e parë për të tretin vit radhazi. Renditja vjen nga studimi ndërkombëtar Expat Insider 2026, i realizuar nga organizata InterNations, ku mijëra emigrantë kanë ndarë përvojën e tyre mbi jetën në vendet ku janë vendosur.
Anketa përfshiu rreth 8 mijë emigrantë nga 162 kombësi të ndryshme, të cilët vlerësuan vendet ku jetojnë sipas disa treguesve kryesorë, si mundësitë e punësimit, financat personale, cilësia e jetës, lehtësia e integrimit dhe procedurat administrative për t’u vendosur në një shtet të ri.
Panamaja kryeson listën falë cilësisë së lartë të jetesës, mikpritjes së banorëve dhe procedurave relativisht të thjeshta për marrjen e lejeve të qëndrimit. Sipas sondazhit, 87 për qind e emigrantëve që jetojnë në këtë vend deklarojnë se janë të kënaqur me jetën e tyre, ndërsa një në tre shprehet se dëshiron të qëndrojë përgjithmonë.
Në vendin e dytë renditet Meksika, e cila vlerësohet si vendi ku emigrantët e kanë më të lehtë të krijojnë miqësi dhe të përshtaten me komunitetin vendas. Mikpritja dhe integrimi i shpejtë janë ndër arsyet kryesore që e kanë ngjitur këtë shtet në krye të renditjes.
Vendin e tretë e zë Tajlanda, e cila konsiderohet një nga destinacionet ku emigrantët ndihen më të lumtur. Kostoja e ulët e jetesës, çmimet e përballueshme të banesave dhe cilësia e jetës janë faktorët që e bëjnë këtë vend një zgjedhje të preferuar për mijëra të huaj.
Në pesëshen e parë renditen gjithashtu Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazili, të cilat ofrojnë mundësi të mira punësimi, zhvillim ekonomik dhe kushte të favorshme jetese për të huajt.
Sa i përket Evropës, vetëm tre shtete arritën të futen në dhjetëshen më të mirë. Spanja renditet në vendin e gjashtë dhe konsiderohet destinacioni më i mirë evropian për emigrantët, falë klimës së favorshme, cilësisë së jetës, transportit publik dhe mundësive të shumta për aktivitete jashtë punës.
Portugalia pozicionohet në vendin e tetë, duke marrë vlerësime të larta për stabilitetin financiar dhe lehtësinë e integrimit, ndërsa Luksemburgu mbyll dhjetëshen e parë, i vlerësuar për pagat e larta, sigurinë në punë dhe kushtet ekonomike.
Në anën tjetër të renditjes ndodhen vendet që kanë rezultuar më pak tërheqëse për emigrantët. Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Gjermania dhe Norvegjia renditen në fund të listës. Emigrantët kanë shprehur pakënaqësi për kostot e larta të jetesës, vështirësitë administrative, problemet me strehimin dhe pengesat gjuhësore, të cilat e bëjnë më të vështirë integrimin.
10 vendet më të mira për emigrantët në vitin 2026:
- Panamaja
- Meksika
- Tajlanda
- Emiratet e Bashkuara Arabe
- Brazili
- Spanja
- Singapori
- Portugalia
- Malajzia
- Luksemburgu
Studimi Expat Insider 2026 përfshiu vetëm vendet ku morën pjesë të paktën 50 emigrantë në anketë, duke analizuar në total 31 shtete. Rezultatet ofrojnë një panoramë të qartë mbi destinacionet që u ofrojnë emigrantëve cilësinë më të mirë të jetës dhe mundësitë më të mira për të ndërtuar një të ardhme të re.









