Alarm në Moskë/ Mbi 390 dronë godasin kryeqytetin rus – Mbrojtja ajrore rrëzon dhjetëra mjete sulmuese

Moska është përballur gjatë natës me një nga sulmet më të mëdha me dronë të regjistruara gjatë viteve të fundit, pasi qindra mjete ajrore pa pilot kanë shënjestruar rajonin e kryeqytetit rus.

Sipas kryebashkiakut të Moskës, Sergei Sobyanin, më shumë se 390 dronë janë zbuluar duke iu afruar zonës së kryeqytetit nga mbrëmja e së hënës, rreth orës 20:30 sipas kohës lokale, deri të martën në mëngjes në orën 06:30.

Autoritetet ruse bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e dronëve është neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore përpara se të arrinin në objektivat e tyre. Sipas Sobyaninit, 81 dronë janë shkatërruar gjatë afrimit drejt Moskës.

“Shumica e tyre u neutralizuan nga forcat e mbrojtjes ajrore në distancë të largët, ndërsa 81 dronë armik u rrëzuan gjatë afrimit drejt Moskës”, deklaroi kryebashkiaku rus përmes një reagimi në rrjetet sociale.

Sulmi i fundit vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Rusisë dhe Ukrainës, ku përdorimi i dronëve është kthyer në një nga mjetet kryesore të goditjes ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturore.

Ky nuk është sulmi më i madh me dronë ndaj kryeqytetit rus. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar gjatë natës së 6 dhe 7 korrikut, kur autoritetet ruse njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar më shumë se 430 dronë, përfshirë 36 prej tyre në afërsi të Moskës.

Megjithëse autoritetet ruse deklarojnë se mbrojtja ajrore ka arritur të pengojë goditjet direkte ndaj kryeqytetit, intensiteti në rritje i sulmeve me dronë tregon për një zgjerim të luftës teknologjike mes palëve dhe presionin e shtuar mbi sistemet e sigurisë ruse.