KUJDES!/ Policia ngre alarmin: Mesazhet mashtruese që synojnë të vjedhin llogaritë WhatsApp

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një valë të re tentativash mashtrimi online, ku persona të paautorizuar po përpiqen të marrin kontrollin e llogarive WhatsApp përmes mesazheve dhe lidhjeve mashtruese.

Sipas njoftimit zyrtar, janë konstatuar raste kur përdoruesve u dërgohen lidhje (linke) me pretekste të ndryshme, si pjesëmarrje në konkurse, votime online apo konfirmime shërbimesh. Pasi përdoruesi hap lidhjen, mashtruesit i kërkojnë të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp-it.

Ky kod është çelësi që përdoret për regjistrimin e llogarisë në një pajisje tjetër. Në momentin që përdoruesi e shpërndan atë, autorët mund të marrin kontrollin e plotë të llogarisë, duke pasur akses te kontaktet dhe komunikimet personale.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ndajnë në asnjë rast kodin e verifikimit me persona të tjerë, edhe nëse kërkesa vjen nga numra të njohur.

Autoritetet këshillojnë:

  • Të mos hapen lidhje të dyshimta, edhe kur dërgohen nga persona që njihen;
  • Të mos jepet kurrë kodi 6-shifror i WhatsApp-it;
  • Të aktivizohet funksioni Verifikimi me dy hapa (Two-Step Verification) për të rritur sigurinë e llogarisë.

Në rast se një qytetar dyshon se llogaria e tij është komprometuar, Policia këshillon që të merren menjëherë masat për rikuperimin e saj, të njoftohen kontaktet personale dhe të ndërmerren hapa për mbrojtjen e të dhënave.

Policia apelon që qytetarët të mos bien pre e skemave të tilla mashtruese, pasi një kod i vetëm mund t’u japë kriminelëve akses te një llogari e tërë.

NJOFTIM PËR QYTETARËT

Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.

Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.

Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët:

  • Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;
  • Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;
  • Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;
  • Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.

Mbroni të dhënat tuaja!
Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.