Një fotografi e realizuar rastësisht në vitin 2007 është kthyer në një nga historitë më të veçanta të futbollit botëror. Në prag të finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Spanjës, vëmendja është rikthyer te imazhi ku Lionel Messi mban në krahë një foshnjë tetë muajshe, e cila sot është ylli i kombëtares spanjolle, Lamine Yamal.
Ajo fotografi u realizua për kalendarin bamirës të UNICEF-it, në një aktivitet të organizuar me futbollistët e Barcelonës. Askush nuk mund ta parashikonte se, gati dy dekada më vonë, dy personazhet e asaj fotografie do të përballeshin si rivalë në finalen e një Botërori.
Vetë Lamine Yamal kishte shprehur dëshirën për t’u përballur me Lionel Messin në finalen e Kupës së Botës. Në një intervistë për DAZN, talenti spanjoll tha se shpresonte ta kishte përballë idhullin e tij, pasi kjo nuk ishte realizuar në ndeshjen e Finalissimës.
Historia nisi falë një lotarie të organizuar nga UNICEF. Familja e Yamal, që jetonte në Mataró të Spanjës, fitoi mundësinë për të marrë pjesë në setin fotografik me futbollistët e Barcelonës. Nëna e tij, Sheila Ebana, dhe babai, Mounir Nasraoui, e çuan djalin e tyre në “Camp Nou”, pa e ditur se po bëheshin pjesë e një momenti historik.
Në atë periudhë, Messi ishte vetëm 20 vjeç dhe konsiderohej një nga talentet më premtues të Barcelonës. Ai nuk ishte bërë ende baba dhe nuk kishte përvojë me foshnjat, ndaj realizimi i fotografisë u shoqërua me momente spontane.
Fotografi Joan Monfort, autor i imazhit, ka treguar se Messi ishte i turpshëm dhe në fillim nuk dinte si ta mbante foshnjën në krahë. Sipas tij, gjithçka ndodhi krejt rastësisht dhe fotografia mund të ishte realizuar me çdo futbollist tjetër të Barcelonës.
Për shumë vite kjo fotografi mbeti pothuajse e panjohur. Ajo u bë virale vetëm në vitin 2024, pasi babai i Lamine Yamal e publikoi në rrjetet sociale me mbishkrimin “Fillimi i dy legjendave”. Që nga ai moment, imazhi u shpërnda në mbarë botën dhe u kthye në simbol të kalimit të stafetës mes dy brezave të futbollit.
Tashmë historia ka marrë një tjetër dimension. Të dielën, Lionel Messi do të udhëheqë Argjentinën në finalen e Kupës së Botës, ndërsa përballë do të ketë Lamine Yamal, djaloshin që dikur e mbante në krahë si foshnjë. Një fotografi e bërë për një kauzë bamirësie është shndërruar në një nga rrëfimet më të bukura dhe simbolike në historinë e futbollit.









