“Kush u takua me krimin në Aruba?” – Kreu i SPAK: Emrat do të bëhen publikë pas përfundimit të hetimeve

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se dosja e njohur si “Aruba” do të bëhet transparente vetëm pasi të përfundojnë hetimet.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj interesimit të deputetit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i cili kërkoi sqarime mbi identitetin e zyrtarëve shqiptarë që dyshohet se janë takuar në Aruba me persona të lidhur me krimin e organizuar.

Kaso ngriti shqetësimin për rrjedhjen e informacioneve nga dosja hetimore dhe pyeti nëse SPAK ka detyrimin t’u bëjë të ditur qytetarëve emrat e politikanëve që, sipas pretendimeve, kanë zhvilluar takime me eksponentë të botës së krimit.

Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se çështja mbetet nën hetim dhe se çdo provë e administruar nga SPAK do të verifikohet deri në fund.

Ai u shpreh se Prokuroria e Posaçme nuk lë asnjë provë pa hetuar dhe se çdo pretendim do të trajtohet në përputhje me procedurat ligjore.

Sipas Brahos, vetëm pas përfundimit të hetimeve institucioni do të jetë në gjendje të bëjë transparencën e plotë për publikun.

Kreu i SPAK shtoi gjithashtu se institucioni që drejton nuk përfshihet në debatet politike dhe nuk i komenton deklaratat apo akuzat që vijnë nga palët politike, duke theksuar se puna e prokurorëve bazohet vetëm mbi provat dhe ligjin.