“Kemi besim te ju” – Gjermania përgëzon Shqipërinë pas mbylljes së tre kapitujve me BE dhe jep mesazhin për vijimin e reformave

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka përshëndetur zyrtarisht avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, pas mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian.

Përmes një reagimi publik, përfaqësia diplomatike gjermane e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas ambasadës, progresi i shënuar dëshmon angazhimin e institucioneve shqiptare për të çuar përpara reformat dhe për të përmbushur standardet e kërkuara nga BE-ja.

Në reagim thuhet se mbyllja e këtyre kapitujve përfaqëson një hap domethënës në afrimin e Shqipërisë me familjen europiane. Gjermania vlerëson se ky rezultat forcon bashkëpunimin e vendit me Bashkimin Europian në fusha të rëndësishme, si kërkimi shkencor, inovacioni, arsimi, kultura dhe siguria ekonomike.

Ambasada gjermane nënvizoi se autoritetet shqiptare duhet të vijojnë me të njëjtin ritëm edhe për kapitujt e tjerë të negociatave. Sipas saj, ruajtja e kësaj dinamike pozitive është thelbësore për përparimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme, edhe në fushën e Themeloreve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Gjermanisë.

Mbyllja e tre kapitujve të parë konsiderohet një tjetër etapë e rëndësishme në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Procesi pritet të vijojë me hapjen, negociimin dhe mbylljen e kapitujve të tjerë, në varësi të përmbushjes së kritereve dhe reformave të kërkuara nga BE-ja.

Reagimi i plotë:

Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.

Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.

Konfirmojmë mbështetjen tonë në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e pranimit, bazuar në arritjet e veta dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara