Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila ishte marrë e pandehur pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arriti në përfundimin se nuk u provua që Bufi të kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Në arsyetimin e saj, gjykata vlerësoi se provat e administruara gjatë procesit nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur akuzën e ngritur nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakes me 1 vit e 6 muaj burg, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit duke e zëvendësuar atë me 2 vite shërbim prove.
Hetimi ndaj Bufit nisi pas një kallëzimi të depozituar në prill të vitit 2023 nga Emels Xhaxhaj, kryetar i degës së Partisë Demokratike në Roskovec, i lidhur me grupimin e Sali Berishës. Sipas SPAK, Bufi dyshohej se, në cilësinë e kryetares së bashkisë, i kishte kërkuar një qytetari të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitetet zgjedhore të partive të tjera politike.
Përveç këtij hetimi, emri i Majlinda Bufit është përmendur edhe në denoncime politike të bëra më herët nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me një tender për karikimin e automjeteve elektrike dhe një projekt për ndërtimin e një termocentrali në një zonë bujqësore. Megjithatë, këto çështje nuk ishin pjesë e procesit gjyqësor që përfundoi me vendimin e së martës.









