Braho zbulon dobësinë e SPAK në zgjedhje: Ishim të varur nga Policia e Shtetit, herën tjetër do të kemi hetuesit tanë në terren

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka folur për herë të parë në mënyrë të detajuar mbi sfidat me të cilat u përball institucioni gjatë hetimit të krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ai pranoi se një nga dobësitë kryesore të SPAK ishte mungesa e strukturave të dedikuara në terren, çka e detyroi institucionin të mbështetej te Policia e Shtetit për mbledhjen e provave dhe kryerjen e veprimeve hetimore.

Braho vlerësoi se modeli i ndjekur nga grupi i posaçëm i ngritur për monitorimin e zgjedhjeve dha rezultate pozitive dhe krijoi një bazë të rëndësishme për hetimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor. Megjithatë, ai theksoi se përvoja e fituar tregoi qartë se sistemi ka nevojë për përmirësime të rëndësishme për të rritur efikasitetin në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, mekanizmi i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të aktivizohet të paktën katër muaj përpara ditës së votimit dhe të vijojë deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave. Kjo, sipas Brahos, do të mundësonte reagim më të shpejtë, koordinim më të mirë dhe parandalim më efektiv të shkeljeve zgjedhore.

Kreu i SPAK u ndal veçanërisht te vështirësitë në sigurimin e provave, duke e cilësuar këtë si sfidën më të madhe të çdo hetimi për krimet zgjedhore. Ai pranoi se mungesa e hetuesve të dedikuar në terren e bëri institucionin të mbështetej në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe struktura të tjera ligjzbatuese.

Braho bëri të ditur se objektivi i SPAK është që në zgjedhjet e ardhshme të krijojë kapacitete të pavarura hetimore në terren. Sipas tij, institucioni synon të rekrutojë dhe trajnojë hetues të specializuar, të cilët do të jenë në gjendje të kryejnë vetë veprimet hetimore pa qenë të varur nga institucione të tjera.

“SPAK synon të rekrutojë dhe trajnojë hetues që të jenë të aftë t’i kryejnë vetë veprimet në terren. Në këtë mënyrë organizimi do të jetë më efektiv. Sfida kryesore nuk lidhet vetëm me organizimin apo vullnetin e institucioneve, por mbi të gjitha me sigurimin e provave, që mbetet elementi vendimtar për suksesin ose dështimin e një hetimi,” u shpreh Braho.

Ai shtoi se grupi i posaçëm i ngritur për monitorimin e zgjedhjeve ka qenë aktiv gjatë gjithë procesit dhe se, sa herë janë marrë denoncime, prokurorët dhe hetuesit janë angazhuar menjëherë për të shkuar në terren dhe për të verifikuar rastet e raportuara.

Sipas drejtuesit të SPAK, përmirësimi i kapaciteteve operative dhe krijimi i një strukture të pavarur hetimore në terren do ta bëjnë institucionin më të shpejtë dhe më efikas në luftën kundër krimeve zgjedhore, duke forcuar integritetin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.

Pjesë nga fjala e Brahos:

Bashkëpunimi rezultoi një nga elementët më të rëndësishëm në vitin 2025. Prania e Task Forcës së SPAK tregoi një vlerë praktike. Integrimi i kësaj qasjeje tregoi bazë më të mirë për identifikimin e riskut. SPAK dhe KQZ ishin më të koordinuara, ky efekt parandalues është i rëndësishëm. Mekanizmi i bashkëpunimit duhet të fillojë më herët, të paktën 4 muaj para votimit dhe të vazhdojë deri në numërimin e votave. Korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual. Në disa raste një person nuk blen votë për interesin e vet personal, hetimi nuk duhet të kufizohet. Kjo është arsyeja pse fokusi te zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë te burimi i financimit. Modeli i vitit 2025 funksionoi, por duhet konsoliduar më tej. Reforma zgjedhore duhet të japë 3 rezultate konkrete.

Sa i përket Task Forcës, Task Forca ishte një organizim i brendshëm i SPAK me prokurorët dhe hetuesit e BKH. Në Task Forcë nuk u përfshinë autoritete të tjera. Kur e përmenda dhe propozova, protokolli duhet të jetë më i gjatë, e kam fjalën për marrëdhëniet ndërinstitucionale mes SPAK dhe KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por duke përfshirë dhe institucione të tjera. Çfarë nuk funksionoi? Unë e thashë dhe më parë, ishte eksperienca e parë e SPAK dhe, si eksperiencë e parë, shumë gjëra edhe për SPAK ishin të panjohura dhe u përballëm me gjëra të reja që duhet të shërbejnë si përvojë për herën tjetër. Së pari, në vetvete, në ato zgjedhje SPAK nuk ka një trupë të vetën të personave në terren dhe kjo e kushtëzon prokurorinë në mbledhjen e provave. SPAK, për kryerjen e përgjimeve në vende publike, është i varur nga persona të tjerë, ku është Drejtoria e Policisë së Shtetit. 

Nuk mund të them që s’ka funksionuar bashkëpunimi, por nuk është një strukturë që është në varësi të SPAK. SPAK synon që të rekrutojë shërbime dhe të trajtojë edhe hetuesit për të qenë të aftë që në terren t’i kryejnë vetë këto veprime. Sepse organizimi do të jetë më efektiv. Pjesa tjetër që nuk funksionoi nuk lidhet vetëm me cilësi organizative apo mungesë vullneti apo faktorë që varen nga vullneti i personave që përfshihen në hetime, por sfida kryesore e një hetimi është prova dhe sfidat e suksesit dhe mosuksesit lidhen me gjetjen e provave dhe kjo është një sfidë më vete. Çfarë funksionoi? Për herë të parë, duke pasur parasysh edhe eksperiencën në zgjedhje të tjera, SPAK nuk ishte në pritje, ishte aktiv. Në momentin që në institucion administrohej një provë që po ndodh diçka në një qytet të Shqipërisë, ne nuk jemi pasivë dhe i referohemi grupit prezent, i cili vepronte me shpejtësi, punë orësh.