GJKKO rrëzon Ajola Xoxën – Kërkoi pezullimin e gjykimit pas lindjes me operacion

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës për pezullimin e procesit gjyqësor, pasi bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kishte kërkuar shtyrjen e procedurave për shkak të lindjes me operacion cezarian.

Përmes mbrojtjes së saj, Xoxa kishte argumentuar se ndodhej në periudhën e lejes pas lindjes dhe se gjendja e saj nuk e lejonte të ushtronte në mënyrë efektive të drejtën për t’u mbrojtur gjatë procesit gjyqësor.

Megjithatë, trupa gjykuese e GJKKO-së vlerësoi se leja e lindjes nuk përbën paaftësi për punë dhe, për këtë arsye, nuk justifikon pezullimin e procesit.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:00.

Mbrojtja kishte kërkuar që gjykimi të ndalej deri në përfundimin e periudhës së lejes pas lindjes, ndërsa SPAK ia la në vlerësim gjykatës mundësinë e ndarjes së çështjes ndaj Ajola Xoxës nga ajo e të pandehurve të tjerë.

Ndërkohë, për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, gjykata ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit.

Vendimi i GJKKO-së vjen në kuadër të një procesi që vijon të jetë nën vëmendjen e lartë publike, për shkak të përfshirjes së zyrtarëve të lartë vendorë dhe personave të afërt me ta.