Ish-kryeministri Sali Berisha është përfshirë në një debat në rrjetet sociale, pasi publikoi një video nga një protestë e fermerëve në Prishtinë, duke e paraqitur si një zhvillim të ndodhur në Shqipëri.
Në videon e shpërndarë nga kreu i Partisë Demokratike shfaqeshin fermerë që derdhnin qumësht përpara Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, në shenjë proteste ndaj politikave bujqësore. Megjithatë, në përshkrimin e postimit, Berisha pretendoi se bëhej fjalë për një protestë të fermerëve shqiptarë kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Fermerët derdhin qumështin para Ministrisë së Bujqësisë si protestë për politikat qeveritare të falimentimit të tyre”, shkroi Berisha në postimin e tij.

Nje nga komentet
Pas publikimit, shumë ndjekës në rrjetet sociale i vunë në dukje se pamjet ishin nga Prishtina dhe jo nga Shqipëria. Pas reagimeve të shumta, postimi u fshi nga profili i tij.
Nuk është bërë e qartë nëse informacioni i publikuar nga Berisha ishte bazuar në një burim të pasaktë apo nëse videoja u përdor për të krijuar një mesazh politik në një kohë kur në Tiranë vijojnë protestat kundër qeverisë.
Ngjarja ka nxitur reagime online, me përdorues të shumtë që kanë ngritur pikëpyetje mbi verifikimin e materialeve të publikuara nga figura politike në rrjetet sociale.










