Një anije turistike me rreth 2 mijë pasagjerë LGBTQ+ është ndaluar të hyjë në ujërat e Egjiptit, vetëm pak ditë pasi i ishte refuzuar hyrja edhe në Turqi.
Anija “Scarlet Lady”, e kompanisë Virgin Voyages, po zhvillonte një udhëtim turistik 10-ditor nga Athina drejt Venecias, por itinerari u ndryshua pasi autoritetet turke bllokuan ndalimin e saj në port.
Pas vendimit të Egjiptit, pasagjerët gjetën një njoftim nën dyert e kabinave ku informoheshin se anija po kërkonte urgjentisht porte alternative për shkak të refuzimit të hyrjes në ujërat egjiptiane.
Rich Campbell, drejtori ekzekutiv i Atlantis Events, grupi që kishte marrë me qira anijen, u komunikoi pasagjerëve se autoritetet egjiptiane kishin ndaluar hyrjen e saj, por deri tani nuk është dhënë një arsye zyrtare nga qeveria e Egjiptit.
Vendimi i Kajros vjen pas një situate të ngjashme në Turqi, ku autoritetet refuzuan ankorimin e anijes duke deklaruar se aktiviteti lidhej me grupe që, sipas tyre, “nuk përputhen me vlerat morale dhe strukturën e shoqërisë”.
Autoritetet turke argumentuan se mbërritja e anijes kishte shkaktuar “shqetësim të konsiderueshëm publik” dhe njoftuan anulimin e vizitës.
Ndërkohë, organizatorët e udhëtimit po kërkojnë alternativa për të vijuar itinerarin e planifikuar, ndërsa ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga autoritetet egjiptiane mbi arsyet e ndalimit.









