Autoritetet serbe kanë konfirmuar një vatër të re dhe të përmasave të mëdha të etheve afrikane të derrave në rajonin e Vojvodinës, duke aktivizuar menjëherë masat e emergjencës për të parandaluar përhapjen e virusit në zona të tjera.
Sipas institucioneve serbe, rreth 11 mijë derra do të asgjësohen si pjesë e një operacioni të kontrolluar për izolimin e sëmundjes, e cila konsiderohet një nga kërcënimet më serioze për sektorin e blegtorisë.
Ministri serb i Bujqësisë, Menaxhimit të Ujërave dhe Pylltarisë, Aleksandar Martinoviç, bëri të ditur për televizionin publik RTS se virusi u zbulua pas analizave laboratorike të kryera në një fermë të madhe në fshatin Hrtkovci të Vojvodinës.
Pas konfirmimit të rasteve, autoritetet kanë nisur menjëherë procedurat për eliminimin e kafshëve të prekura dhe atyre që kanë qenë në kontakt me to, duke zbatuar protokollet veterinare për kontrollin e epidemisë.
Ethet afrikane të derrave nuk përbëjnë rrezik për njerëzit, por përhapja e saj te kafshët mund të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike, pasi shpesh kërkon asgjësimin masiv të tufave dhe vendosjen e kufizimeve për transportin dhe tregtinë e derrave.
Shpërthimi në Vojvodinë ka ngritur shqetësime për rajonin e Ballkanit, për shkak të lëvizjes së kafshëve, produkteve bujqësore dhe afërsisë me vendet fqinje. Autoritetet veterinare pritet të forcojnë kontrollet kufitare dhe monitorimin e fermave për të shmangur përhapjen e virusit.
Serbia është përballur edhe më parë me vatra të etheve afrikane të derrave, ndërsa kjo sëmundje ka prekur në vitet e fundit disa vende europiane, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në industrinë e mishit dhe blegtorisë.









