VIDEO-LAJM/ Messi feston 39-vjetorin – shokët e Argjentinës e surprizojnë në gjumë

Legjenda e futbollit botëror, Lionel Messi, feston sot 39-vjetorin e lindjes, ndërsa vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Argjentinës në Kupën e Botës 2026.

Kapiteni argjentinas, i cili po merr pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, po kalon një turne mbresëlënës. Në dy ndeshjet e para ai ka realizuar pesë gola, duke vendosur një rekord të ri dhe duke lënë pas ish-sulmuesin gjerman Miroslav Klose.

Dita e veçantë për Messin nisi me një surprizë nga shokët e skuadrës. Teksa ylli argjentinas ishte ende në gjumë, bashkëlojtarët hynë në dhomën e tij me një tortë ditëlindjeje dhe një qiri të ndezur, duke i kënduar këngën tradicionale të ditëlindjes.

Momenti i veçantë u shoqërua me të qeshura dhe atmosferë festive, ndërsa më pas shokët e ekipit i dorëzuan edhe dhuratat e përgatitura për të. Videoja e publikuar nga ESPN FC është bërë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke marrë mijëra reagime nga tifozët në mbarë botën.

Atmosfera pozitive brenda kampit argjentinas vjen në një moment të rëndësishëm të turneut, pasi kampionët në fuqi synojnë të mbrojnë titullin e fituar në 2022 FIFA World Cup dhe të fitojnë Kupën e Botës për të dytën herë radhazi.

Pavarësisht moshës 39-vjeçare, Messi vazhdon të jetë lideri dhe pika më e fortë e Argjentinës, duke dëshmuar se mbetet një nga futbollistët më vendimtarë në skenën ndërkombëtare.