ISHP apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Ja rreziqet që sjell vapa

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Europën po ndihen edhe në Shqipëri, ku vendi ndodhet në periferi të valës së të nxehtit. Sipas specialistëve të Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), vlerat e larta termike për këtë periudhë të vitit mund të shkaktojnë probleme të ndryshme shëndetësore, veçanërisht te kategoritë më të ndjeshme të popullsisë.

Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur në diell dhe temperaturat e larta mund të çojnë në dehidrim, lodhje, marramendje, rënie të tensionit arterial dhe në raste më të rënda edhe në goditje nga i nxehti, e cila konsiderohet një urgjencë mjekësore që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Më të rrezikuarit nga efektet e vapës janë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, pasi organizmi i tyre e ka më të vështirë të përballojë temperaturat ekstreme.

Për të shmangur pasojat e motit të nxehtë, ISHP këshillon qytetarët të kufizojnë daljet gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 18:00. Në rastet kur dalja është e domosdoshme, rekomandohet përdorimi i veshjeve të lehta dhe me ngjyra të çelëta, mbajtja e kapelës dhe syzeve mbrojtëse, si dhe qëndrimi sa më shumë në ambiente të freskëta.

Specialistët theksojnë gjithashtu rëndësinë e hidratimit të vazhdueshëm, duke rekomanduar konsumimin e të paktën dy litrave ujë në ditë, si dhe një regjim ushqimor të pasur me fruta dhe perime të freskëta.

Me fillimin e sezonit veror, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi temperaturat e larta pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.