U anulua goli i Vinicius – Brazili ankohet tek FIFA; kërkon edhe largimin e arbitrit nga ndeshjet e “Seleçaos”

Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka paraqitur një ankesë zyrtare te FIFA pas golit të anuluar të Vinicius Junior në fitoren 3-0 ndaj Skocisë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026.

Sulmuesi i Real Madridit kishte realizuar dy gola në pjesën e parë dhe dukej se kishte kompletuar tregolëshin në minutën e 22-të. Vinicius përfitoi nga një pasiguri e mbrojtësit skocez Jack Hendry, fitoi topin dhe e dërgoi në rrjetë pasi mposhti portierin Angus Gunn.

Megjithatë, pas rishikimit të aksionit me sistemin VAR, arbitri meksikan Cesar Arturo Ramos vendosi ta anulonte golin, duke vlerësuar se braziliani kishte kryer faull gjatë ndërhyrjes për të fituar topin.

Vendimi shkaktoi reagime të forta te futbollistët brazilianë, ndërsa Vinicius iu drejtua arbitrit me fjalët: “Ky është një turp”.

Pas ndeshjes, Brazili i dërgoi një protestë zyrtare presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke argumentuar se ndërhyrja e VAR-it nuk ishte në përputhje me protokollin, sipas të cilit sistemi duhet të përdoret vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe të dukshme.

Në dokumentin e nënshkruar nga presidenti i CBF-së, Samir Xaud, Federata Braziliane kërkon gjithashtu që Cesar Arturo Ramos të mos caktohet më për të drejtuar ndeshjet e ardhshme të kombëtares braziliane.