Protesta kundër Ramës kalon kufijtë! Koordinatorët u shkruajnë ambasadorëve: Pesë kërkesa të panegociueshme për zgjidhjen e krizës

Lëvizja qytetare që prej 27 ditësh organizon protesta të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një hap të ri, duke i drejtuar një letër zyrtare ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri. Përmes këtij dokumenti, Grupi Koordinator i Protestës synon të informojë partnerët ndërkombëtarë mbi kërkesat e protestuesve dhe situatën politike që, sipas tyre, po kalon vendi.

Në letër, koordinatorët theksojnë se përfaqësojnë një lëvizje qytetare paqësore dhe gjithëpërfshirëse, e cila prej gati një muaji ka mobilizuar qytetarë në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

Sipas tyre, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen demokratike të vendit, ndërsa qytetarët po ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar ndryshime të thella politike dhe institucionale.

Në dokument paraqiten pesë kërkesa që, sipas Grupit Koordinator, janë të panegociueshme dhe përfaqësojnë vullnetin e protestuesve.

Kërkesa e parë është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë. Protestuesit kërkojnë më pas ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të reja.

Një tjetër kërkesë lidhet me ndryshimet kushtetuese, të cilat sipas tyre duhet të miratohen përmes referendumit popullor. Këto ndryshime përfshijnë reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

Grupi Koordinator kërkon gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, anulimin e Paketës së Maleve dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike, duke argumentuar se këto ndryshime cenojnë interesin publik dhe pasuritë kombëtare.

Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes një procesi konsultimi me ekspertë, intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, jashtë ndikimit të partive politike.

Në përfundim të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta marrin seriozisht mesazhin e protestës dhe të mbështesin një zgjidhje demokratike, paqësore dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në Shqipëri.

Koordinatorët shprehen se mbeten të gatshëm për komunikim me përfaqësuesit diplomatikë dhe theksojnë se besojnë në angazhimin e tyre për mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave evropiane në Shqipëri.

LETRA E PLOTË

26 qershor 2026

Drejtuar Shkëlqesive të Tyre,
Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve

Shkëlqesi,

Në emër të Grupit Koordinator të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi në frymën e transparencës, përgjegjësisë demokratike dhe respektit për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.

Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për t’u shprehur qytetarisht, të udhëhequr nga një angazhim i thellë ndaj shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike dhe dinjitetit njerëzor.

Në këtë kontekst, Grupi Koordinator i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:

  1. Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt një ripërtëritjeje demokratike.
  2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor, për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
  3. Një reformë të gjithanshme kushtetuese, të bazuar në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë përpara ligjit dhe që do të miratohet përmes një referendumi popullor.

Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:

  • Reformimin e Kodit Zgjedhor;
  • Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile;
  • Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke mos lejuar që asnjë individ të ushtrojë këtë detyrë për më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë karrierës së tij politike.
  1. Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:
  • Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024);
  • Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore;
  • Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
  • Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
  1. Hartimin e një kontrate të re sociale ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përgatitet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.

Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Me respekt, ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.

Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.

Në emër të Grupit Koordinator të Protestës

protesta leter ambasadoreve  (2)
protesta leter ambasadoreve  (1)