“Trump mund t’i heqë Shqipërisë Samitin e NATO-s” – Reuters: Drafti i ri nuk e përmend më Tiranën si vend mikpritës

Shqipëria mund të humbasë organizimin e Samitit të NATO-s të planifikuar për vitin 2027. Sipas një raportimi të agjencisë prestigjioze Reuters, drafti më i fundit i deklaratës që pritet të miratohet në Samitin e NATO-s në Ankara nuk përfshin më referencën për zhvillimin e samitit të ardhshëm në Shqipëri, ndryshe nga një version i mëparshëm i dokumentit.

Sipas Reuters, ndryshimi lidhet me rezervat e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, si edhe me pakënaqësinë e disa vendeve anëtare të Aleancës për nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.

Burime diplomatike të cituara nga agjencia bëjnë të ditur se disa aleatë vlerësojnë se Shqipëria ende nuk përmbush pritshmëritë për investimet në mbrojtje. Për këtë arsye, organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë mund të mos shihet si një zgjedhje e përshtatshme nëse presidenti Trump merr pjesë në atë takim.

Reuters thekson se vendet evropiane të NATO-s po përpiqen të shmangin çdo përplasje me administratën amerikane, duke rritur investimet në mbrojtje dhe duke treguar se po përmbushin angazhimet e Aleancës. Në këtë kontekst, zgjedhja e vendit pritës për samitin e ardhshëm është kthyer në një çështje me ndjeshmëri politike.

Sipas raportimit, shqetësimi kryesor është se zhvillimi i samitit në një vend që konsiderohet se nuk investon mjaftueshëm në mbrojtje mund të provokojë reagime negative nga presidenti Trump dhe të dominojë vëmendjen mediatike, duke zbehur objektivat kryesore të takimit.

Megjithatë, deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për vendin ku do të zhvillohet Samiti i NATO-s në vitin 2027. Diskutimet mes vendeve anëtare vijojnë dhe vendimi pritet të merret në një fazë të mëvonshme të konsultimeve brenda Aleancës.

Artikulli i Reuters:

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, planet për një samit të Aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimit nga administrata Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen. Këtë e thanë për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.

Sipas tyre, draft-deklarata për samitin e javës së ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht se një deklaratë e mëparshme parashikonte që ai të zhvillohej atje. Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan Donald Trump në Ankara se kanë bërë përparim në përmbushjen e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe duan të shmangin përplasjet e hapura me të.

Pasiguria për fatin e samitit të NATO-s në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së viteve të fundit për të mbajtur samite çdo vit, një hap që mund të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij.

Njëri prej personave të njohur me diskutimet tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen është i tillë, saqë nëse NATO do të mbante një samit në vend në vitin 2027, Trump mund të zemërohej, duke shkaktuar tituj negativë në media. Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i tekstit vetëm thekson se udhëheqësit presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm, pa specifikuar kohën apo vendin.

“Draftet janë drafte, jo vendime,” deklaroi për Reuters një zëdhënës i qeverisë shqiptare, kur u pyet për mungesën e Shqipërisë në draft-deklaratë, e cila është ende në negociim dhe mund të ndryshojë.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë. Një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm.

Vëmendja te shpenzimet për mbrojtjen

Vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s zakonisht kanë përmendur në mënyrë të qartë vendin ku do të mbahej samiti pasues. Në samitin e mbajtur vitin e kaluar në Hagë, udhëheqësit deklaruan se: “Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri.”

Në të njëjtin samit, udhëheqësit e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trump duke u zotuar se brenda një dekade do të shpenzonin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen dhe masat e lidhura me të. Shtetet u angazhuan të shpenzonin: 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë, si ushtria dhe armatimet; 1.5% të PBB-së për masa më të gjera të lidhura me mbrojtjen, si siguria kibernetike.

Megjithatë, ndërsa shumë vende të NATO-s kanë rritur buxhetet e mbrojtjes gjatë muajve të fundit, disa prej tyre kanë pasur vështirësi të arrijnë edhe objektivin e mëparshëm të Aleancës prej 2% të PBB-së.

“Kur shikoni objektivin prej 2%, pothuajse të gjithë aleatët janë në nivelin 2%. Vitin e kaluar Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk ishin në këtë nivel, por ato janë angazhuar qartë të arrijnë mbi 2% këtë vit. Dhe, nëse shikoni panoramën e përgjithshme, këto tre vende përbëjnë një numër shumë të vogël,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për shtyp më herët këtë muaj.

Shqipëria planifikon masa për tu përafruar me objektivat e NATO-s

Qeveria shqiptare deklaroi për Reuters se po “finalizon masat e nevojshme fiskale për të përafruar shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe sigurinë në vitin 2026 me trajektoren e dakordësuar nga aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës.”

Sipas deklaratës: “Pasi këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe sigurinë në vitin 2026 do të arrijnë në 2.6% të PBB-së, në përputhje me metodologjinë e NATO-s për llogaritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Nga kjo, 2.2% e PBB-së do të përfaqësojë shpenzimet bazë për mbrojtjen, ndërsa 0.4% e PBB-së do të përfaqësojë shpenzime të tjera për mbrojtjen dhe sigurinë.”

Një diplomat evropian tha se, në fund, Shqipëria mund ta presë ende samitin.

“Ata po i rrisin shpenzimet; do të shohim se ku do të përfundojë kjo. Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri,” tha diplomati.