Aksion spektakolar kundër korrupsionit në Irak – Deputetes i gjenden 57 milionë dollarë cash, 27 kilogramë ar dhe sende luksi prej ari

Një operacion i gjerë kundër korrupsionit në Irak ka tronditur opinionin publik, pasi autoritetet kanë zbuluar një pasuri marramendëse në banesën e deputetes Hind al-Abbasi, e cila tashmë është në qendër të një hetimi për dyshime mbi pasuri të pajustifikuara.

Sipas raportimeve të mediave, gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e saj, hetuesit sekuestruan rreth 57 milionë dollarë amerikanë në para të gatshme, 27 kilogramë ar të pastër, si dhe sende luksi të punuara me ar, mes të cilave përmenden edhe të brendshme të realizuara me këtë metal të çmuar.

Kontrolli është zhvilluar në kuadër të një operacioni të gjerë të autoriteteve irakiane kundër korrupsionit, i cili ka në fokus zyrtarë të lartë dhe figura politike të dyshuara për pasurim të paligjshëm dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Deputetja Hind al-Abbasi po hetohet për të sqaruar origjinën e pasurisë së zbuluar në banesën e saj. Autoritetet kanë nisur verifikimet financiare dhe ligjore për të përcaktuar nëse asetet e sekuestruara janë përfituar në mënyrë të ligjshme apo lidhen me veprimtari korruptive.

Zbulimi ka shkaktuar reagime të forta në Irak, një vend që prej vitesh përballet me akuza të vazhdueshme për korrupsion në nivelet më të larta të administratës dhe politikës. Rasti konsiderohet një nga goditjet më të bujshme të autoriteteve irakiane në luftën kundër korrupsionit dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në vijim të hetimeve.