Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare që lidhet me situatën në Ballkanin Perëndimor, duke lënë njëkohësisht në fuqi regjimin e sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve që konsiderohen kërcënim për stabilitetin e rajonit.
Sipas vendimit të firmosur nga presidenti amerikan, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor vijojnë të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, administrata amerikane ka vendosur të ruajë mekanizmat ligjorë që lejojnë vendosjen dhe zbatimin e masave ndëshkuese ndaj personave, organizatave apo grupeve të përfshira në veprimtari destabilizuese.
Në dokument theksohet se shqetësimet kryesore lidhen me përpjekjet për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të rajonit, dobësimin e institucioneve demokratike të krijuara pas konflikteve të viteve ’90, si dhe me korrupsionin e rëndë që pengon sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik.
Shtëpia e Bardhë vlerëson se veprimet destabilizuese, ekstremizmi i dhunshëm, korrupsioni dhe përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve amerikane vazhdojnë të përbëjnë kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Me vendimin e ri, baza ligjore që i mundëson Uashingtonit të vendosë ose të mbajë në fuqi sanksione ndaj personave dhe subjekteve të përfshira në aktivitete që minojnë stabilitetin rajonal do të mbetet aktive deri në qershor të vitit 2027.
Regjimi i emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor është në fuqi që prej vitit 2001 dhe është rinovuar në mënyrë periodike nga administratat amerikane ndër vite, duke u zgjeruar për të përfshirë jo vetëm kërcënimet ndaj marrëveshjeve të paqes, por edhe korrupsionin e nivelit të lartë, cenimin e institucioneve demokratike dhe aktivitetet që rrezikojnë stabilitetin e rajonit.
Dokumenti:












