Takimi i Bordit të Paqes në Qipro më 30 qershor – pikëpyetje mbi pjesëmarrjen e Edi Ramës

Bordi i Paqes, i krijuar me iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur procesin e rindërtimit dhe administrimit të pasluftës në Gaza, pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës më 30 qershor në Qipro.

Sipas informacioneve të publikuara nga POLITICO, takimi do të mbahet në një resort në ishullin mesdhetar dhe do të zgjasë nga dy deri në tre ditë. Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, të përfshirë në organizimin e aktivitetit, kanë bërë të ditur se fokusi kryesor do të jetë rishikimi i strategjisë së bordit në dritën e zhvillimeve të fundit në rajon.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë përfaqësues të Komunitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, si dhe përfaqësues nga zyra e diplomatit bullgar Nikolai Mladenov, i cili mban rolin e të dërguarit të posaçëm për Gazën. Ndërkohë, Qiproja do të ketë statusin e vëzhguesit.

Një nga çështjet që mbetet ende e paqartë është pjesëmarrja e liderëve të vendeve anëtare të bordit. Në këtë kuadër, interes të veçantë paraqet edhe prania e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Megjithatë, burime për Newsbomb bëjnë me dije se Rama do të ndodhet në Gjermani më 30 qershor, në kuadër të një vizite pune që do të zgjasë deri më 1 korrik. Për momentin nuk ka informacion nëse kreu i qeverisë shqiptare do t’i bashkohet takimit në ditët pasuese, duke qenë se axhenda e mbledhjes parashikon zhvillimin e saj për më shumë se një ditë.

Bordi i Paqes, i konceptuar nga administrata amerikane si një mekanizëm për koordinimin e rindërtimit shumë miliardë dollarësh të Gazës, zhvilloi mbledhjen e parë në muajin shkurt. Megjithatë, puna e tij është përballur me vështirësi të shumta, përfshirë sfidat financiare, ato logjistike dhe debatet mbi legjitimitetin ndërkombëtar të nismës.