Një ngjarje e rëndë ka tronditur Barcelonën gjatë vizitës së Papa Leonit XIV në qytet, pasi një person u vra me armë zjarri pranë një stacioni policie në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit katalanas. Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.
Sipas mediave spanjolle, krimi ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën Balmes, pranë bulevardit Diagonal, në afërsi të një zyre të Policisë Kombëtare ku qytetarët kryejnë procedura administrative, përfshirë dokumentet e identitetit dhe çështjet e emigracionit.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë filmuar të dyshuarin pak çaste para dhe pas sulmit. Ai shihet i veshur me pantallona të shkurtra dhe me një helmetë biçiklete në dorë. Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi nga zona, ndërsa forcat e sigurisë kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Menjëherë pas ngjarjes, policia katalanase, Mossos d’Esquadra, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare, rrethoi vendin e krimit dhe vendosi masa të forta sigurie. Trupi i viktimës u mbulua me një tendë të posaçme përpara se të transportohej nga shërbimet përkatëse.
Gjatë hetimeve, policia arriti të gjejë armën e dyshuar të krimit të fshehur brenda një helmete nën një stol autobusi në sheshin Ga·la Placídia, në lagjen Gràcia. Ky zbulim konsiderohet një element kyç për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Deri më tani, identiteti i viktimës nuk është bërë publik, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e vrasjes dhe lidhjet e mundshme të saj me ngjarje të tjera kriminale.
Autoritetet spanjolle kanë sqaruar se incidenti nuk ka asnjë lidhje me vizitën e Papa Leonit XIV dhe nuk ka ndikuar në planin e sigurisë të organizuar për këtë aktivitet të rëndësishëm fetar.
Ngjarja është parë nga dhjetëra qytetarë që ndodheshin në zyrat e policisë në momentin e të shtënave. Një prej dëshmitarëve e përshkroi skenën si “tronditëse dhe të frikshme”, duke deklaruar se paniku përfshiu zonën menjëherë pas krimit.
Ky është rasti i dytë i vrasjes me armë zjarri në Barcelonë brenda pak ditësh dhe i treti në më pak se një muaj, një situatë që ka rritur shqetësimin e autoriteteve për shtimin e incidenteve të dhunshme në qytet. Hetimet vazhdojnë, ndërsa policia ka intensifikuar kontrollet në disa zona të Barcelonës në përpjekje për të lokalizuar autorin e dyshuar.









