Ish-drejtuesi i Policisë Rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti, iu bashkua mbrëmjen e sotme protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke mbajtur një fjalim të fortë para qytetarëve të mbledhur në ditën e 11-të të tubimit.
Në mesazhin e tij, Ahmeti u bëri thirrje protestuesve të mos tërhiqen dhe të vijojnë qëndresën, duke e cilësuar momentin aktual si vendimtar për të ardhmen e vendit dhe të brezave të rinj.
Duke iu referuar së kaluarës së tij në radhët e Policisë së Shtetit, ai përdori një gjuhë simbolike për të inkurajuar pjesëmarrësit në protestë që të mos largohen nga ajo që e konsideroi si një betejë qytetare.
“Si ish-polic, ju jap urdhër të mos largoheni nga fronti. Nëse nuk veprojmë tani, kjo gjeneratë është e humbur. Burrat kanë pritur, mos i lini të largohen”, deklaroi Ahmeti mes duartrokitjeve të protestuesve.
Fjalimi i tij u prit me reagime nga të pranishmit, ndërsa protesta vijoi me thirrje dhe mesazhe kundër qeverisë. Tubimet para Kryeministrisë kanë hyrë tashmë në javën e dytë, me organizatorët që deklarojnë se do të vazhdojnë mobilizimin qytetar deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Prania e figurave publike dhe ish-zyrtarëve në protestë po i jep një tjetër dimension tubimeve, të cilat po shoqërohen me debate të forta politike dhe reagime të shumta në opinionin publik.









