Një rast i rëndë i kultivimit të lëndëve narkotike është zbuluar në territorin e Njësisë Administrative Velipojë, ku autoritetet kanë gjetur dhe asgjësuar mbi 7 mijë bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Plantacioni është zbuluar në fshatin Reç i Ri, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike. Pas evidentimit të sipërfaqes së mbjellë me kanabis, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ndërmarrë menjëherë masa administrative ndaj strukturave përgjegjëse për mbulimin e zonës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përmes Drejtorisë së Standardeve Profesionale, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefit të Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistit të Policimit në Zonë, që mbulonte territorin ku u konstatuan parcelat me kanabis.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ndaj efektivëve të pezulluar do të zhvillohen verifikime të plota për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me mosidentifikimin dhe mosgoditjen në kohë të parcelave të kultivuara.
Ndërkohë, strukturat hetimore kanë nisur punën për identifikimin e personave që kanë kultivuar bimët narkotike, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, i cili konsiderohet një nga zbulimet më të mëdha të muajve të fundit në qarkun e Shkodrës.









