Kupa e Botës 2026 pritet të shndërrohet jo vetëm në ngjarjen më të madhe sportive të planetit, por edhe në një motor të fuqishëm ekonomik për vendet organizatore. Sipas vlerësimeve, turneu do të gjenerojë mbi 80 miliardë dollarë aktivitet ekonomik përmes të ardhurave nga të drejtat televizive, sponsorët, shitja e biletave, turizmi dhe investimet publike.
Botërori, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të nisë më 11 qershor dhe konsiderohet edicioni më i madh në historinë e kompeticionit.
Ekspertët parashikojnë se organizimi i turneut do të krijojë rreth 824 mijë vende pune me kohë të plotë në tre vendet pritëse. Përfitimet do të shtrihen në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë sigurinë, teknologjinë, shërbimet shëndetësore, transportin, logjistikën dhe industrinë e mikpritjes.
Pjesa më e madhe e ndikimit ekonomik pritet të përqendrohet në qytetet amerikane që do të presin ndeshjet kryesore të turneut, si New York City, Dallas, Atlanta, Los Angeles dhe Miami.
Me përmasat rekord të organizimit dhe interesin global që pritet të tërheqë, Botërori 2026 po shihet gjithnjë e më shumë si një platformë ekonomike ndërkombëtare, ku përfitimet financiare shkojnë shumë përtej fushës së blertë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të rajoneve pritëse.









