Presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, ka rikthyer në vëmendje një nga historitë më të diskutuara të futbollit ndërkombëtar, atë të zgjedhjes së Lamine Yamal për të përfaqësuar Spanjën në vend të Marokut.
Në një intervistë për platformën Al Jazeera 360, Lekjaa deklaroi me tone ironike se do të dëshironte të shihte një finale të Kupës së Botës mes Maroku dhe Spanja, për të kuptuar nëse talenti i ri i futbollit botëror ka bërë zgjedhjen e duhur për karrierën e tij ndërkombëtare.
“Shpresoj të përballemi me të në finalen e Botërorit. Atëherë do të shohim qartë nëse ka bërë zgjedhjen e duhur apo jo”, u shpreh kreu i futbollit maroken, duke lënë të kuptohet se vendimi i Yamalit vazhdon të jetë një temë e ndjeshme për federatën e vendit afrikan.
Megjithatë, Lekjaa theksoi se respekton plotësisht vendimin e lojtarit dhe i uroi sukses në karrierën e tij me përfaqësuesen spanjolle. Ai zbuloi gjithashtu se Federata Marokene kishte bërë përpjekje të mëdha për ta bindur sulmuesin e ri të zgjidhte fanellën e Marokut.
Sipas tij, drejtuesit e federatës zhvilluan disa takime me Yamalin dhe familjen e tij, si në Marok ashtu edhe në Spanjë, duke i prezantuar projektin afatgjatë të futbollit maroken, ambiciet e kombëtares dhe objektivat për vitet e ardhshme.
Megjithatë, pavarësisht interesimit dhe këmbënguljes së vazhdueshme të Marokut, ylli i ri i FC Barcelona vendosi të përfaqësojë Spanjën, vendin ku ka lindur dhe është rritur, duke zgjedhur fanellën e “La Roja”.
Yamal, i cili ka baba maroken dhe nënë me origjinë nga Guinea Ekuatoriale, konsiderohej një nga objektivat kryesorë të Federatës Marokene për të ardhmen e kombëtares, veçanërisht pas suksesit historik të Marokut në Kupën e Botës 2022.
Deklaratat e Lekjaas vijnë në një moment kur Maroku dhe Spanja konsiderohen mes skuadrave që synojnë të shkojnë larg në Botërorin 2026, duke e bërë të mundshme një përballje të shumëpritur mes dy kombëtareve dhe vetë Yamalit.
Për momentin, sfida e presidentit të federatës marokene mbetet simbolike, por mesazhi është i qartë: Maroku ende beson se kishte vend për Lamine Yamalin në projektin e tij dhe do të dëshironte ta sfidonte atë në skenën më të madhe të futbollit botëror.









