Përplasje e fortë mes BDI-së dhe VLEN-it për gjuhën shqipe – “Plas” debati edhe për dokumentin e gjuhës serbe në Kumanovë

Tensionet politike në Maqedoninë e Veriut janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, pasi çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore ka shkaktuar një përplasje të ashpër mes Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit VLEN.

Debati shpërtheu pas reagimit të BDI-së ndaj një aktiviteti të zhvilluar nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas BDI-së, gjatë promovimit të një departamenti të ri në institucion ishte vendosur një mbishkrim vetëm në gjuhën maqedonase, gjë që, sipas opozitës shqiptare, përbën shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Në reagimin e saj, BDI deklaroi se rasti është dëshmi e zbehjes së rolit dhe statusit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke kujtuar se gjatë periudhës kur kjo forcë politike ishte pjesë e qeverisë, mbishkrimet në të njëjtin institucion ishin të vendosura në dy gjuhë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e barazisë institucionale.

Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti akuzoi gjithashtu përfaqësuesit shqiptarë në qeveri për heshtje përballë asaj që e konsideron shkelje të ligjit, duke publikuar fotografi që, sipas saj, tregojnë dallimet mes periudhës së mëparshme dhe situatës aktuale në institucion.

Por kundërpërgjigjja e VLEN-it nuk vonoi. Koalicioni riktheu në vëmendje një dokument të vitit 2010, për të cilin pretendon se dëshmon mbështetjen e BDI-së për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës.

Përfaqësuesi i VLEN-it, Afan Elezi, deklaroi se BDI nuk ka dhënë asnjë shpjegim për dokumentin e publikuar, duke e interpretuar heshtjen e saj si një pranim indirekt të përgjegjësisë politike për atë vendim.

Sipas Elezit, mbetet ende e paqartë arsyeja pse BDI mbështeti në atë kohë zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë, ndërsa sot akuzon kundërshtarët politikë për cenim të të drejtave të gjuhës shqipe.

Polemikat mes dy blloqeve politike po zhvillohen në një periudhë kur çështja e përdorimit të gjuhëve vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe më të debatuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, përplasja mes palëve është shtrirë edhe në çështje të tjera. Vetëm një ditë më parë, BDI publikoi dokumente nga Agjencia e Kadastrës, për të cilat pretendon se hedhin dyshime mbi marrëdhënie pronësore dhe biznesore mes ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama. Nga ana tjetër, VLEN i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.