Shqipëria rrezikon të mos presë Samitin e NATO-s të planifikuar për vitin 2027, nëse nuk shënon përparim në përmbushjen e objektivave të Aleancës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Kështu raporton Euronews, duke iu referuar burimeve pranë NATO-s.
Sipas raportimit, vendi ynë mbetet organizatori i parashikuar i samitit, por zhvillimi i tij në Tiranë mund të shtyhet nëse Shqipëria nuk arrin të tregojë progres drejt rritjes së investimeve në mbrojtje, përtej pragut minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, objektiv i vendosur nga Aleanca.
Raporti thekson se drejtues të NATO-s, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, po shqyrtojnë mënyrën e organizimit të samiteve të ardhshme, me synimin për të shmangur tensionet politike që mund të krijohen nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Euronews, Shqipëria nuk është e vetmja që përballet me sfida në këtë drejtim. Edhe vende të tjera anëtare, si Spanja, Italia dhe Çekia, konsiderohen të prapambetura në përmbushjen e objektivave të shpenzimeve për mbrojtjen, ndërsa Belgjika vetëm së fundmi ka arritur pragun e kërkuar nga NATO.
Raporti rikujton gjithashtu se Trump ka paralajmëruar se mund të rishqyrtojë mbështetjen ushtarake amerikane në kuadër të mbrojtjes kolektive për vendet që, sipas tij, nuk kontribuojnë mjaftueshëm në Aleancë ose nuk mbështesin politikën e SHBA-së në konfliktet ndërkombëtare.
Po sipas Euronews, gjatë përshkallëzimit të tensioneve me Iranin, disa vende anëtare të NATO-s kufizuan ose refuzuan përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore nga forcat amerikane. Spanja vendosi kufizime për fluturimet ushtarake amerikane, ndërsa Mbretëria e Bashkuar fillimisht refuzoi kërkesën për akses, përpara se të ndryshonte qëndrim pas zhvillimeve të mëvonshme të konfliktit.









