Bullgaria dhe Sllovenia drejt aleancës Shqipëri-Kroaci-Kosovë – Analiza: Mund të ndryshojnë ekuilibrat e sigurisë në Ballkan

Mundësia që Bullgaria dhe Sllovenia t’i bashkohen platformës së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës po shihet si një zhvillim që mund të ndikojë ndjeshëm në arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Këtë vlerësim e sjell një analizë e publikuar nga Instituti Italian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (IARI), i cili shqyrton perspektivat e zgjerimit të nismës së krijuar pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në Mbrojtje në Tiranë, më 18 mars 2025.

Sipas analizës, përfshirja e Bullgarisë do t’i jepte platformës një dimension të ri strategjik, duke e lidhur atë më ngushtë me krahun lindor të NATO-s dhe rajonin e Detit të Zi. Nga ana tjetër, anëtarësimi i mundshëm i Sllovenisë do të forconte praninë e nismës në Adriatikun Verior dhe do të rriste ndikimin e saj diplomatik brenda Bashkimit Evropian dhe Aleancës Atlantike.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se aktualisht bëhet fjalë vetëm për një mundësi politike dhe jo për një proces të formalizuar. Në analizë nënvizohet se as Bullgaria dhe as Sllovenia nuk janë pjesë e Deklaratës së Tiranës dhe nuk ekziston ende asnjë mekanizëm zyrtar apo procedurë konkrete për anëtarësimin e tyre në këtë platformë.

Sipas studimit, një zgjerim i mundshëm do të sillte përfitime të rëndësishme në fusha si stërvitjet e përbashkëta ushtarake, koordinimi operacional, siguria kibernetike dhe mbrojtja e infrastrukturave kritike. Një rrjet më i gjerë bashkëpunimi do të rriste kapacitetet mbrojtëse dhe shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve të Evropës Juglindore.

Bullgaria do të kontribuonte me pozicionin e saj strategjik pranë Detit të Zi dhe kufirit lindor të NATO-s, ndërsa Sllovenia do të shërbente si një urë lidhëse mes Ballkanit dhe Evropës Qendrore, duke forcuar koordinimin me strukturat euroatlantike.

Analiza paralajmëron se çdo zgjerim i platformës duhet të shmangë perceptimin e krijimit të një blloku të ri politik apo ushtarak të orientuar kundër Serbisë ose Rusisë. Sipas autorëve, nisma duhet të mbetet e fokusuar te bashkëpunimi praktik në fushën e sigurisë, përballimi i kërcënimeve hibride, mbrojtja e infrastrukturave strategjike dhe rritja e kapaciteteve të përbashkëta.

Në përfundim, ekspertët theksojnë se edhe në rast të zgjerimit, kjo platformë nuk mund të zëvendësojë rolin e NATO-s apo të misionit të KFOR-it në Kosovë. Stabiliteti afatgjatë në rajon, sipas tyre, do të vazhdojë të varet nga dialogu politik mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa bashkëpunimi rajonal në mbrojtje mund të shërbejë si një instrument shtesë për forcimin e sigurisë dhe koordinimit mes vendeve partnere.

Bullgaria dhe Sllovenia konsiderohen partnerë potencialë që mund t’i japin nismës më shumë peshë strategjike dhe politike, por çdo hap drejt zgjerimit do të kërkonte vendime zyrtare, marrëveshje konkrete dhe projekte të prekshme bashkëpunimi.