Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të ketë një rol të veçantë në finalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili bëri të ditur se kreu i Shtëpisë së Bardhë do të jetë i pranishëm në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror.
Sipas Infantinos, Trump do ta ndjekë finalen nga tribunat VIP dhe më pas do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të mbylljes së turneut, ku do t’i dorëzojë trofeun ekipit që do të shpallet kampion i botës.
Prania e presidentit amerikan në finalen e Botërorit pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare, duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet pritëse të turneut dhe finalja do të luhet pikërisht në territorin amerikan.
Deri më tani, Donald Trump nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, pavarësisht se shumica e takimeve po zhvillohen në SHBA. Në ndeshjen hapëse të përfaqësueses amerikane ndaj Paraguajit, administrata amerikane u përfaqësua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Kjo nuk është hera e parë që Trump merr pjesë në një ceremoni të madhe futbolli. Vitin e kaluar ai dorëzoi trofeun e Botërorit të Klubeve për skuadrën angleze Chelsea, po në stadiumin “MetLife”, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi qëndroi për disa çaste mes lojtarëve gjatë festimeve të triumfit.
Finalja e 19 korrikut pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në botë, ndërsa pjesëmarrja e presidentit amerikan dhe roli i tij në ceremoninë e kurorëzimit të kampionit i shton edhe më shumë peshë dhe interes këtij eventi global.









