Alarm në Karaburun/ Zjarr masiv përfshin pyjet – Tymi mbulon vijën bregdetare

Një vatër e fuqishme zjarri ka shpërthyer këtë të shtunë në zonën e Karaburunit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe pushuesit që ndodhen përgjatë bregdetit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një territor të mbuluar me shkurre dhe vegjetacion natyror në shpatet e Karaburunit, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar një pjesë të gjerë të zonës, duke u bërë të dukshme edhe nga deti.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasa të mëdha të zjarrit, ndërsa tymi ka pushtuar vijën bregdetare, duke tërhequr vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve që ndodhen në zonë gjatë fundjavës.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare mbi sipërfaqen e prekur nga flakët apo shkaqet e zjarrit. Ndërkohë, pritet një vlerësim i plotë i situatës dhe i dëmeve të mundshme në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

Karaburuni konsiderohet një nga pasuritë më të vyera mjedisore të Shqipërisë, ndaj çdo vatër zjarri në këtë zonë ngre shqetësime të mëdha për ndikimin në ekosistemin dhe biodiversitetin e saj.