Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar publikisht propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për një formë të ndërmjetme anëtarësimi në Bashkimin Europian, që do t’i lejonte Kievit pjesëmarrje në institucionet europiane pa të drejtë vote.
Në një letër të raportuar fillimisht nga Reuters dhe të konfirmuar më pas nga këshilltari presidencial ukrainas, Dmytro Lytvyn, Zelensky e cilësoi këtë ide si “të padrejtë” dhe theksoi se Ukraina meriton anëtarësim të plotë dhe të barabartë në familjen europiane.
Propozimi i Merzit synon krijimin e një statusi të përkohshëm “anëtar i asociuar” për Ukrainën dhe vendet e tjera kandidate, duke u dhënë atyre akses në takime dhe struktura të BE-së, por pa të drejtë vendimmarrjeje. Ideja vjen në një moment kur zgjerimi i unionit po përballet me debate dhe pengesa të shumta mes vendeve anëtare.
Megjithatë, Zelensky e bëri të qartë se Kievi nuk pranon një rol simbolik në Europë.
“Do të ishte e padrejtë që Ukraina të ishte e pranishme në Bashkimin Europian, por të mbetej pa zë. Është koha për të ecur përpara me një anëtarësim të plotë dhe kuptimplotë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Sipas raportimeve, letra u është dërguar presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentit të Qipro, Nikos Christodoulides, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.
“Ne po e mbrojmë Europën plotësisht, jo pjesërisht dhe jo me masa gjysmake. Ukraina meriton trajtim të drejtë dhe të drejta të barabarta brenda Europës”, theksoi Zelensky.
Ukraina mori statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2022, por negociatat për anëtarësim kanë mbetur të bllokuara prej muajsh për shkak të kundërshtimeve dhe ndarjeve brenda unionit europian.









