VENDIMI/ “Arresti në burg, vetëm si Masë e fundit!” – Gjykata e Lartë ndryshon praktikën dhe vendos standard të ri

Gjykata e Lartë ka vendosur të ndryshojë praktikën gjyqësore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, duke theksuar qartë se kjo duhet të mbetet një masë përjashtimore dhe të përdoret vetëm kur alternativat e tjera janë të papërshtatshme.

Në vendimin e marrë nga Kolegjet e Bashkuara, gjykata shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Apelit për rastin e shtetasit Bektesh Zeneli, duke rrëzuar rekursin dhe duke lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi”. Ky rast shërbeu si bazë për unifikimin e qëndrimit gjyqësor mbi këtë çështje të rëndësishme.

Vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, por sjell një ndryshim të pjesshëm të vendimit unifikues nr. 7 të vitit 2011, duke vendosur standarde më të qarta për aplikimin e masës më të rëndë të sigurimit.

Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ky vendim do të shërbejë si udhërrëfyes për të gjitha gjykatat në vend. Në çdo rast kur do të vendoset “arresti në burg”, gjyqtarët do të duhet të japin një arsyetim të detajuar dhe të individualizuar se pse masat më të lehta, si “arresti në shtëpi” apo detyrimi për paraqitje, nuk janë të mjaftueshme.

Në thelb, vendimi forcon një parim kyç të drejtësisë: privimi i lirisë duhet të jetë zgjidhja e fundit, e justifikuar vetëm kur rrethanat konkrete e bëjnë të domosdoshëm një veprim të tillë.