UEFA surprizon me arbitrin e finales PSG-Arsenal – arbitri rikthehet pas polemikave në gjysmëfinale

UEFA ka zgjedhur arbitrin gjerman Daniel Siebert për të drejtuar finalen e këtij sezoni të Ligës së Kampioneve mes PSG-së dhe Arsenalit, sfidë që do të zhvillohet më 30 maj në Budapest.

Vendimi ka shkaktuar diskutime, pasi është e rrallë që një arbitër të marrë besimin për finalen pasi ka gjykuar edhe një nga ndeshjet e gjysmëfinaleve të turneut. Siebert ishte kryesori në përballjen e kthimit mes Arsenalit dhe Atletiko Madridit, duel që u shoqërua me polemika.

Skuadra spanjolle pati pretendime të forta ndaj gjyqtarit gjerman për një episod të diskutueshëm me Antoine Griezmann, ku kërkoi penallti. Në atë aksion, Siebert ndaloi lojën për një faull të pretenduar të Pubill, vendim që u kontestua nga madrilenët.

Megjithatë, UEFA nuk e ka konsideruar këtë një pengesë dhe i ka besuar 40-vjeçarit drejtimin e finales më të rëndësishme të sezonit.

Siebert do të ndihmohet nga bashkëkombësit Jan Seidel dhe Rafael Foltin, ndërsa arbitër i katërt është caktuar zvicerani Sandro Scherer. Në sistemin VAR do të jenë Bastian Dankert, Robert Schröder dhe spanjolli Carlos Del Cerro Grande.