Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar kryeministrin e qendrës së djathtë, Ilie Bolojan, pasi miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së tij, duke futur vendin në një fazë të re pasigurie politike dhe ekonomike.
Vendimi erdhi pas një debati të ashpër parlamentar, ku vetë Bolojani e cilësoi mocionin si “të rremë, cinik dhe artificial”, duke argumentuar se në një periudhë të mbushur me kriza, vendi kishte nevojë për stabilitet dhe jo për rrëzim qeverish. Megjithatë, votat në sallë treguan të kundërtën, duke vulosur fundin e mandatit të tij.
Një rol vendimtar në rrëzimin e qeverisë luajti Partia Social Demokratike (PSD), e cila, e pakënaqur me politikat shtrënguese ekonomike të ndjekura nga qeveria në Bukuresht, u tërhoq nga koalicioni dhe bashkoi votat me Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, një forcë e ekstremit të djathtë.
Ky zhvillim ka shkaktuar habi edhe në arenën europiane, veçanërisht brenda Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, pjesë e të cilit është PSD. Për vite me radhë, ky grup ka kritikuar ashpër aleancat me të djathtën ekstreme, ndërsa tani përballet me pasojat e një bashkëpunimi të tillë në Rumani.
Qeveria e drejtuar nga Ilie Bolojan ishte në pushtet që prej vitit 2025, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Marcel Ciolacu. Rënia e saj vjen më pak se një vit pas zgjedhjeve presidenciale përçarëse, ku kryebashkiaku i moderuar i Bukuresht, Nicușor Dan, arriti të mposhtë liderin e ekstremit të djathtë, George Simion.
Simion, i konsideruar si një nga figurat kyçe pas rrëzimit të Bolojanit, ka kërkuar menjëherë zgjedhje të parakohshme, duke deklaruar se “fati i vendit duhet të vendoset nga qytetarët”. Megjithatë, një skenar i tillë duket pak i mundshëm përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar në vitin 2028.
Në këtë situatë të paqartë, presidenti Nicușor Dan pritet të nisë konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie të re. Një nga opsionet që po diskutohet është formimi i një koalicioni të ri mes liberalëve dhe socialistëve nën drejtimin e një teknokrati të pavarur. Një alternativë tjetër mbetet rikthimi i Bolojanit në krye të një qeverie minoritare, me socialistët në opozitë.
Ndërkohë, situata mbetet delikate edhe në planin ekonomik. Rumania duhet të përmbushë një sërë reformash kyçe deri në muajin gusht për të përfituar rreth 11 miliardë euro fonde nga Bashkimi Evropian. Në të kundërt, vendi rrezikon përkeqësim të financave publike dhe ulje të vlerësimit të kreditit.
Rrëzimi i Ilie Bolojan shënon rastin e shtatë që një kryeministër largohet përmes një mocioni mosbesimi që nga përfundimi i Revolucioni Rumun i vitit 1989, duke treguar paqëndrueshmërinë kronike politike që vijon të karakterizojë vendin.









