Kryediplomati iranian niset drejt Pekinit – Araghchi në Kinë mes tensioneve me SHBA-në dhe Izraelin

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka nisur një vizitë zyrtare drejt Pekinit, ku pritet të zhvillojë bisedime të rëndësishme diplomatike me homologun e tij kinez, Wang Yi.

Sipas mediave shtetërore iraniane, vizita është pjesë e një serie “konsultimesh të vazhdueshme diplomatike” që Irani po zhvillon me vende të ndryshme për çështje rajonale dhe globale. Në fokus të diskutimeve do të jenë si marrëdhëniet dypalëshe mes Iranitbdhe Kinës, ashtu edhe zhvillimet e fundit gjeopolitike.

Kjo lëvizje diplomatike vjen në një moment delikat, ndërsa tensionet mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përshkallëzuar ndjeshëm, sidomos pas ofensivës së përbashkët të ndërmarrë nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit në muajin shkurt.

Vizita në Pekini shihet si një përpjekje e Iranit për të forcuar aleancat strategjike dhe për të koordinuar qëndrimet në arenën ndërkombëtare në një periudhë me zhvillime të ndjeshme globale.