Ngjarja e rëndë ku humbën jetën dy fëmijë ka tronditur thellë komunitetin në zonën e Kënetës në Durrës, ndërsa banorët shprehen të revoltuar dhe të shokuar nga ajo që ndodhi.
Dëshmitarët në vendngjarje theksojnë se fëmijët nuk ndodheshin në rrugë, por në trotuar në momentin kur u goditën nga automjeti, duke e bërë tragjedinë edhe më të rëndë. Sipas tyre, zona është prej kohësh problematike për shkak të lëvizjes së mjeteve me shpejtësi të lartë, pa kontrolle dhe masa sigurie.
Banorët shprehin zemërim të fortë edhe për faktin se drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aksidentit, duke kërkuar reagim të ashpër nga autoritetet.
“Shumë e rëndë… Zoti e di si u bë. Çfarë po shohim kështu? Mjetet këtu lëvizin gjithmonë me shpejtësi,” – shprehet një banor.
“Të tronditur jemi, sepse janë fëmijë… dhe ishin në trotuar, jo në rrugë,” – thotë një tjetër banore.
Një tjetër qytetar ngre shqetësimin për mungesën e sigurisë rrugore, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga shteti:
“Duhet të vendosen sinjalizime dhe masa konkrete. Nuk është vetëm kjo rrugë problem, por shumë zona ku makinat lëvizin pa kontroll.”
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problemet serioze të sigurisë në rrugët urbane, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe marrjen e masave për parandalimin e tragjedive të tilla në të ardhmen.









