I dehur dhe me shpejtësi, përplasi për vdekje 2 fëmijë në Durrës – Arrestohet 57-vjeçari

Nikollë Radaçi, 57 vjeç, është identifikuar si drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në zonën e Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Sipas hetimeve paraprake, ai drejtonte një automjet tip “Benz ML” në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, kur humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke përplasur fëmijët që ndodheshin në trotuar duke luajtur.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes duke braktisur automjetin, por u arrestua më vonë nga policia. Aktualisht ndodhet në qelitë e izolimit dhe akuzohet për “aksident me pasojë vdekjen e dy ose më shumë personave”.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer shqetësimin për shkeljet e rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, këtë herë të fëmijëve të pafajshëm që ndodheshin në një hapësirë që duhet të ishte e sigurt – trotuari.

Njëri nga fëmijët e plagosur vijon të luftojë për jetën në spitalin e Traumës.