Një ngjarje tragjike është shënuar në Detin Mesdhe pranë brigjeve të Libisë, ku një varkë me emigrantë është përmbysur, duke shkaktuar viktima dhe persona të zhdukur.
Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara, në bord ndodheshin 33 emigrantë nga Sudani. Deri tani janë konfirmuar të paktën 17 viktima, ndërsa disa persona rezultojnë ende të zhdukur.
Vetëm 7 persona kanë arritur të mbijetojnë, sipas raportimeve nga agjencitë ndërkombëtare. Ata u gjetën pas ditësh në det të hapur, në kushte ekstreme, ku disa prej viktimave dyshohet se humbën jetën nga uria dhe etja.
Ngjarja ndodhi pranë qytetit Tobruk, nga ku ishte nisur varka me destinacion Greqinë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u zhvilluan nga autoritetet vendase, përfshirë Marinën dhe Rojet Bregdetare, në bashkëpunim me organizata humanitare.
Kjo tragjedi rikthen në vëmendje rrezikun e lartë që përballin emigrantët në përpjekje për të kaluar Mesdheun drejt Europës.









