Bashkimi Evropian i bllokon fondet Serbisë – Marta Kos: “S’ka para pa reformë në drejtësi”

Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht fondet për Serbinë në kuadër të Planit Evropian të Zhvillimit, duke rritur presionin ndaj Beogradit për reformën në sistemin gjyqësor.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se vendimi lidhet me mungesën e progresit në garantimin e pavarësisë së drejtësisë.

“Pagesat janë ndërprerë. Pa përmirësime konkrete në gjyqësor, mbështetja financiare nuk mund të vazhdojë,” theksoi ajo.

Sipas saj, fondet do të qëndrojnë të bllokuara derisa autoritetet serbe të adresojnë problemet e evidentuara në këtë sektor kyç.

Ky vendim vjen në një moment kritik për rrugën europiane të Serbisë, ndërsa në Bruksel po intensifikohen diskutimet për kushtëzimin e ndihmës financiare me reformat e kërkuara.

Raportime të mëhershme sugjerojnë se në lojë mund të jetë edhe ngrirja e rreth 1.5 miliardë eurove ndihmë, ndërsa ndër shqetësimet e BE-së përmenden edhe raportet e vazhdueshme të Beogradit me Rusinë.