Një plagosje me armë zjarri është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes në Tiranë, ku një 34-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një konflikti të dyshuar për motive të dobëta.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:55 në rrugën Rrugën Aleksandër Moisiu. I plagosuri është paraqitur vetë në spital me plagë në këmbë, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Autoritetet identifikuan të plagosurin si Juxhin Hamajezi, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime policore bëjnë me dije se 34-vjeçari rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht për trafikim të emigrantëve të paligjshëm. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka dhënë detaje në lidhje me autorin e dyshuar dhe as nëse kishte njohje me personin që e qëlloi.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur verifikimet në zonë dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të përfshirë në ngjarje, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes.
“Tiranë/Informacione paraprake/ Më datë 26.05.2026, rreth orës 23:55, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi J. H., rreth 34 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu” gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.









