Tajvani i përgjigjet Trumpit: Jemi një shtet sovran dhe i pavarur

Autoritetet tajvaneze kanë ritheksuar se Tajvani është një shtet sovran dhe i pavarur, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me marrëdhëniet mes Tajvanit dhe Kinës.

Komentet e Trump erdhën pas samitit dyditor në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, ku ai deklaroi se nuk kishte marrë “asnjë angazhim” për çështjen e Tajvanit dhe paralajmëroi ishullin kundër shpalljes formale të pavarësisë.

Në reagimin e saj, zëdhënësja presidenciale tajvaneze Karen Kuo u shpreh se është “e vetëkuptueshme” që Tajvani është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur.

Edhe presidenti tajvanez Lai Ching-te ka deklaruar më herët se Tajvani nuk ka nevojë të shpallë zyrtarisht pavarësinë, pasi e konsideron veten tashmë një shtet të pavarur.

Ndërkohë, Trump bëri të ditur se administrata amerikane do të vendosë së shpejti nëse do të miratojë një paketë armësh prej 11 miliardë dollarësh për Tajvanin, në kuadër të mbështetjes për vetëmbrojtjen e ishullit.

Pekini vazhdon ta konsiderojë Tajvanin pjesë të territorit të Kinës dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkimin e tij me territorin kinez, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.