Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Shqipërisë që të përshpejtojë ritmin e reformave, me synimin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.
Në një takim të zhvilluar mes ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është diskutuar ecuria e procesit të integrimit dhe sfidat kryesore që lidhen me reformat në vend.
Delegacioni i BE-së në Tiranë bëri të ditur se bisedimet ishin “produktive dhe të hapura”, duke u fokusuar në çështje urgjente si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbrojtja e mjedisit dhe zbatimi efektiv i reformave të ndërmarra.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se për të arritur objektivin ambicioz të mbylljes së negociatave deri në 2027, Shqipëria duhet jo vetëm të ruajë ritmin aktual, por edhe ta përshpejtojë atë, duke garantuar cilësinë e reformave.
Sipas tij, reformat duhet të përgatiten në mënyrë të kujdesshme, të konsultohen gjerësisht me aktorët e interesuar dhe të zbatohen në mënyrë efektive, në mënyrë që të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
BE nënvizon gjithashtu rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me vendet anëtare gjatë gjithë procesit të negociatave për anëtarësim.









