Sulme ajrore izraelite në jug të Libanit – Raportohen të paktën 8 të vrarë nga bombardimet

Në jug të Libanit janë vrarë të paktën tetë persona si pasojë e sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite, në një tjetër përshkallëzim të tensioneve në rajon, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.

Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, avionë luftarakë të Izraelit kanë goditur fshatin Doueir, ku janë regjistruar pesë viktima dhe dy të plagosur, ndërsa disa banesa janë shkatërruar plotësisht.

Në një tjetër sulm pranë një spitali në fshatin Tibnin janë raportuar dy viktima të tjera, ndërsa në zonën Burj Shemali një person është vrarë nga një dron ndërsa udhëtonte me motor.

Po ashtu, autoritetet lokale dhe Kryqi i Kuq kanë njoftuar për gjetjen e një trupi të pajetë në periferi të Shebaa-s, në rajonin Nabatieh.

Situata në terren mbetet e tensionuar, me raportime për përplasje të vazhdueshme dhe dëme të mëdha në infrastrukturë, ndërsa kriza humanitare në jug të vendit po thellohet ndjeshëm.