Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, drejtuesi i automjetit, Nikoll Rradaçi, është marrë në pyetje nga autoritetet.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, 57-vjeçari dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes dhe është paraqitur në gjendje të rënduar emocionale gjatë dëshmisë. Ai ka deklaruar se nuk mban mend rrethanat e aksidentit dhe është shprehur i tronditur për pasojat e rënda.
Banorë të zonës kanë pohuar se drejtuesi i mjetit ka qenë problematik prej kohësh, duke theksuar se ndaj tij janë bërë disa ankesa për drejtim të rrezikshëm dhe në gjendje të dehur. Sipas tyre, vetëm një ditë para ngjarjes ishte shmangur një incident i ngjashëm.
Mësohet gjithashtu se ai ka pasur më herët masa ndëshkimore, përfshirë heqjen e lejes së drejtimit në dy raste për shkelje të lidhura me drejtimin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, i cili sipas dëshmive paraprake mund të kishte qenë i parandalueshëm.









