Rikthehet murtaja e bagëtive në Shkodër – Ngordhin dhjetëra dele

Murtaja e rumitantëve të vegjël është rikthyer në qarkun e Shkodrës pas afro një viti, duke prekur njësinë administrative Dajç dhe duke detyruar autoritetet të vendosin zonën në karantinë.

Rasti i parë për këtë vit është konfirmuar në fshatin Mali i Gjymtit, ku dhjetëra krerë dele kanë ngordhur, ndërsa pritet asgjësimi i më shumë bagëtive për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Sipas autoriteteve lokale, ka dyshime edhe për raste të tjera në zonë, ndërsa kontrollet veterinare janë shtrirë edhe në territore të tjera të qarkut për shkak të rrezikut të infektimit.

Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar masa karantine në një rreze prej 3 deri në 10 kilometrash. Sëmundja prek vetëm bagëtitë dhe nuk transmetohet tek njerëzit.