Reagon qeveria e Tajvanit pas paralajmërimit të Xi Jinping në takimin me Trump

Tajvani ka reaguar me shpejtësi pas deklaratave të presidentit kinez Xi Jinping gjatë samitit me Donald Trump në Pekin, ku lideri kinez paralajmëroi kundër çdo ndërhyrjeje të huaj në çështjen e ishullit.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, Xi përsëriti se Tajvani mbetet një çështje e brendshme e Kinës dhe theksoi se çdo trajtim i gabuar i situatës mund të çojë në pasoja serioze për marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit.

Pas deklaratave të liderit kinez, qeveria tajvaneze reagoi përmes zëdhënëses Michelle Lee, e cila falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Tajvanit.

“Ne vlerësojmë pohimin e përsëritur të mbështetjes së SHBA-së për Tajvanin”, deklaroi Lee, sipas raportimit të Reuters.

Tensionet mes Kinës dhe Tajvanit mbeten të larta prej vitesh. Pekini e konsideron ishullin pjesë të territorit të tij dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim, ndërsa Uashingtoni vijon mbështetjen politike dhe ushtarake për Taipein, duke e cilësuar stabilitetin në rajon si jetik për sigurinë globale.